Ditën e mërkurë, Food and Drug Administration autorizoi pilulën e parë antivirale për trajtimin e COVID-19, e cila do t’i japë një ndihmë mjekëve në luftimin e kësaj sëmundjeje. Ky trajtim, i krijuar nga Pfizer, ul rrezikun e hospitalizimit dhe vdekjes tek pacientët e infektuar me koronavirus.
Kjo pilulë është autorizuar për të gjithë personat mbi 12 vjeç. Trajtimi me pilulat e quajtura Paxlovid bëhet në shtëpi ku personat e infektuar marrin 30 pilula në një periudhë 5 ditore. Problemi qëndron në faktin se trajtimi duhet të niset në ditët e para të shfaqjes së simptomave, por shumë njerëz mund ta neglizhojnë pasi verifikimi i infektimit me COVID-19 kërkon pak kohë.
Nga testimet tregohet se Paxlovid uli rrezikun e hospitalizimit dhe vdekjes me 89% tek adultët e infektuar kur ishte dhënë gjatë 3 ditëve të para të shfaqjes së simptomave.
FDA po studion dhe një tjetër antiviral të ri të quajtur molnupiravir, i krijuar nga kompania farmaceutike Merck. Kjo pilulë është më pak efektive se Paxlovid, pasi testimet treguan se trajtimi me molnupiravir ulte hospitalizimin dhe vdekshmërinë me vetëm 30% tek adultët.
Administrata Biden pritet të ketë mbi 350,000 pilula të Pfizer deri në fund të janarit, siç raportohet nga Bloomberg.