Miles Wu, një 14-vjeçar nga New York-u, po përdor artin e origamit për të zhvilluar zgjidhje që mund të përmirësojnë reagimin ndaj fatkeqësive natyrore. Për këtë projekt novator, i cili bazohet te Miura-ori, një strukturë origami e njohur për aftësinë për t’u shpalosur dhe kompresuar me saktësi të lartë, Wu fitoi çmimin e madh prej $25,000 në konkursin prestigjioz Thermo Fisher Scientific Junior Innovators Challenge në tetor.
Pas më shumë se 6 vitesh duke praktikuar origami si hobi, kryesisht figura kafshësh, Wu nisi të projektonte palosjet e veta. I frymëzuar nga fatkeqësitë e fundit natyrore në SHBA dhe nga aplikimet e origamit në shkencë e mjekësi, ai u përpoq të testonte potencialin e Miura-ori për struktura emergjence të palosshme, si tenda më të forta, më të lehta dhe më kompakte sesa ato aktuale.
Wu analizoi sa peshë mund të mbante kjo formë origami, duke testuar 54 variante të ndryshme në 108 prova. Ai ndryshoi gjerësitë, lartësitë dhe këndet e paralelogramëve, si edhe përdor tre lloje letre. Pasi krijoi modelet me ndihmën e një makinerie prerëse për saktësi, ai i vendosi mes mbajtëseve dhe shtoi gradualisht peshë derisa struktura shembej. Për të vazhduar testet, iu desh të përdorte jo vetëm të gjitha librat e shtëpisë, por edhe pesha fitnesi.
Rezultatet ishin mbresëlënëse: panelet më të vogla dhe me kënde më pak të mprehta kishin raport më të mirë forcë-peshë, por surpriza ishte materiali, letra e zakonshme e librave rezultoi më e forta. Një nga strukturat mbajti mbi 10,000 herë peshën e vet, ekuivalente, sipas Wu, me “një taksi të Nju Jorkut që mban mbi 4,000 elefantë.”
Në garën kombëtare, e cila përzgjedh vetëm 30 finalistë nga rreth 2,000 projekte, Wu shkëlqeu jo vetëm me projektin, por edhe në sfidat e kreativitetit dhe bashkëpunimit. Wu dhe prindërit e tij do ta përdorin çmimin për arsimin e tij, ndërsa i riu tashmë planifikon të krijojë një prototip të një strehe emergjence të bazuar në Miura-ori dhe të vazhdojë kërkimet në fushën e origamit për të ndihmuar njerëzit në situata reale.

