Snapchat ka nisur prezantimin e një eksperience të re AR e cila ju lejon të provoni dhe të blini kostume për Halloween direkt nga aplikacioni. Duke nisur nga dita e djeshme, të gjithë përdoruesit mund të provojnë kostumet nga seriale të ndryshme mjaft të njohura si Stranger Things, Harry Potter, Squid Game, Minceraft, Ghostbusters dhe shumë të tjera.
Për të krijuar këtë shërbim, Snapchat ka bashkëpunuar me Disguise. Mjafton që ju të kërkoni “Disguise costumes” në tabelën e kërkimit për të shfaqur këtë filtër, ose të kërkoni emrin specifik të filmit apo serialit në Lens Explorer. Më pas, ju duhet të gjeni disa fotografi të plota të trupit tuaj (nuk ka rëndësi dhe nëse keni një veshje tjetër në trup) dhe teknologjia AR e Snapchat do të aplikojë kostumin që ju dëshironi mbi foton tuaj.
Më pas ju mund të ruani këtë fotografi ose ta shpërndani me miqtë tuaj. Dhe në rast se ky kostum ju pëlqen, mundeni ta bleni në mënyrë të drejtpërdrejtë nga aplikacioni.
Ky lançim vjen në një kohë ku Snap ka nisur zgjerimin e investimit në AR shopping, me prezantimin e shërbimit që kthen fotot e veshjeve në asete 3D “Dress Up”. Snap tregon se ka kryer një studim me një kompani konsultimi dhe ka zbuluar se 92% e përdoruesve Gen Z janë të interesuar në përdorimin e AR për të blerë veshje të ndryshme.