Këtë vit mendohet se do të jetë 5.3 miliardë numri i smartphone-ve që do të hidhen tej, sipas forumit WEEE. Kjo është thjesht një përllogaritje e bazuar nga numri i shitjeve të pajisjeve të reja, duke ngritur kështu shqetësimin e mbetjeve elektronike.
Shumë njerëz i mbajnë smartphone-t e tyre të vjetër në vend që t’i riciklojnë. Në këtë mënyrë metalet e çmuara si bakri apo kobalti në bateritë e rikarikueshme duhet të minohen, në vend që të rikuperohen nga këto pajisje.
“Njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë se pajisjet në dukje të parëndësishme kanë një vlerë të madhe dhe së bashku në një nivel global përfaqësojnë sasi të mëdha.” tha drejtuesi i WEEE Pascal Leroy. Mendohet se në botë ka rreth 16 miliardë smartphone, dhe në Europë, pothuajse 1/3 e tyre nuk përdoren më.
WEEE tregon se studimi i tyre shfaq “malin” e mbetjeve elektrike dhe elektronike, që nga lavatriçet e deri tek thekëse e bukës apo kompjuterat. Numri i këtyre mbetjeve pritet të rritet deri në 74 milion tonë vit pas viti deri në 2030.
Më herët gjatë këtij viti, Royal Society of Chemistry lançoi një fushatë ku promovohej minimi i mbetjeve elektrike për prodhimin e produkteve të reja, duke shtuar se konfliktet globale si lufta midis Rusisë dhe Ukrainës krijon mungesa në zinxhirin e furnizimit me metalet e çmuara.
Vetëm 17% e mbetjeve po riciklohet në mënyrë të duhur për momentin.