Një studim i ri ka sugjeruar se shqetësimet për modelet kineze të inteligjencës artificiale (AI) si DeepSeek, mund të jenë të tepruara, veçanërisht në lidhje me privatësinë e të dhënave.
DeepSeek, një chatbot i prezantuar në janar shkaktoi shqetësime për sigurinë dhe privatësinë e të dhënave, duke nxitur ndalimin e tij nga organizatat private dhe qeveritare në SHBA dhe jashtë saj. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se chatbotët e tjerë të njohur, si Google Gemini, mbledhin më shumë të dhëna personale se DeepSeek.
Studimi i Surfshark analizoi chatbotët më të njohur të AI, duke përfshirë ChatGPT, Gemini, Copilot, DeepSeek, Grok dhe shumë chatbots të tjerë. Rezultatet përfundimtare treguan se Google Gemini mbledh 22 nga 35 lloje të të dhënave personale, përfshirë vendndodhjen, historikun e shfletimit dhe kontaktet e përdoruesve, duke e bërë atë më intensiv në mbledhjen e të dhënave se DeepSeek, i cili mbledh mesatarisht 11 lloje të dhënash.

Studiuesit zbuluan se shumë chatbotë, përfshirë Copilot dhe Poe, mbledhin të dhëna për të gjurmuar përdoruesit, që përdoren për qëllime reklamimi. DeepSeek renditet mesatarisht për mbledhjen e të dhënave, duke përfshirë informacionin e kontaktit dhe përmbajtjen e përdoruesve. Nga studimi rezultoi se Pi dhe Jasper ishin chatbot-ët që grumbullonin më pak të dhëna nga të gjithë chatbot-ët e tjerë më të përdorur.
Çështjet e privatësisë për DeepSeek përfshijnë faktin se të dhënat mund të ruhen në servera jashtë SHBA-së, veçanërisht në Kinë dhemund të shfrytëzohen nga qeveria e këtij shteti. Për këtë arsye drejtuesit e lartë amerikanë duan të reduktojnë sa më tepër përdorimin e shërbimeve që ofrohen nga kompani kineze.