Sipas Cloudflare, gati një e treta e trafikut në internet sot gjenerohet nga bots, shumica të padukshëm për përdoruesit pasi kryejnë detyra si indeksimi i faqeve ose mbledhja e të dhënave për trajnim të modeleve të AI. Por rritja e numrit të bots të dukshëm në platforma sociale ka sjellë shqetësime për autenticitetin e internetit. CEO i OpenAI, Sam Altman, pranoi së fundmi se hapësira si X apo Reddit duken “shumë më të rreme” sesa para pak vitesh, duke theksuar përhapjen e llogarive të menaxhuara nga AI.
Kjo lidhet me “Dead Internet Theory”, një ide që nisi rreth vitit 2021, sipas së cilës shumica e përmbajtjes online krijohet dhe shpërndahet nga bots. Teoria ka nuanca konspirative, duke e parë këtë si mjet kontrolli social, por ekziston edhe një shpjegim më pragmatik: interneti drejtohet nga incentivat monetare, ku çdo formë angazhimi, qoftë edhe nga botët, gjeneron të ardhura. Edhe para përhapjes së modeleve të mëdha të gjuhës, shifra të larta të trafikut nga bots ishin evidente, me disa studime që e çonin mbi 50%.
Sot, me agjentë publikë të AI që navigojnë web-in dhe kryejnë detyra në emër të përdoruesve, autenticiteti online pritet të bjerë edhe më shumë. Vetë Altman paralajmëroi se shërbimet tradicionale të verifikimit janë “mposhtur plotësisht” nga AI, duke rritur rrezikun e mashtrimeve masive. Megjithatë, ai nuk ka propozuar masa për ngadalësimin e zhvillimit të teknologjive të tilla.
Kritikët sugjerojnë një arsye tjetër: Altman ka promovuar projektin e tij paralel, “Worldcoin”, një sistem identiteti që kërkon skanimin e retinës për të vërtetuar njerëzimin e përdoruesve. Me rritjen e dyshimeve mbi autenticitetin në platforma si Reddit, ku Altman ka denoncuar aktivitetin e botëve, ai mund të përdorë këtë krizë për të pozicionuar Worldcoin si zgjidhje.
Në këtë këndvështrim, sa më afër të shkojmë drejt “Internetit të Vdekur”, aq më i madh bëhet presioni për t’i dhënë hapësirë zgjidhjeve që vendosin teknologjitë e tij në qendër – një realitet që disa e quajnë “Rendi i Ri i Internetit”.