Kontrollet e reja kufitare dixhitale që do të preknin miliona njerëz që udhëtojnë drejt dhe nga Evropa pritet të hyjnë në fuqi në tetor, sipas Komisionit Evropian (KE).
Sistemi i shumëpritur i hyrjes/daljes (EES) do të zëvendësojë vulosjen aktuale të pasaportës, duke u kërkuar vizitorëve nga jashtë Bashkimit Evropian të regjistrojnë shenjat e gishtërinjve, një fotografi dhe detajet e pasaportës për të hyrë në kontinent. Një zëdhënës i KE-së tha: “Hyrja në funksion e EES parashikohet në tetor 2025”.
EES do të hynte në përdorim që më 10 nëntor 2024, por u vonua sepse teknologjia nuk ishte ende gati. Qytetarët e vendeve që janë jashtë BE-së, përfshirë dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të duhet të regjistrojnë informacionin e tyre biometrik kur lëvizin për herë të parë drejt vendeve të integruara në BE.

Sistemi i ri synon të forcojë sigurinë kufitare, por shumë njerëz po i tremben vonesave të gjata deri në përfundimin e këtyre procedurave. Zoti Bannister tha: “Ne kemi investuar shumë në krijimin e një hapësire për të lejuar që procesi i regjistrimit të zhvillohet atje përpara se udhëtarët të arrijnë në terminalin e trageteve.”
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi vitin e kaluar se siguroi fonde me vlerë 10.5 milion £ për kontrollet e reja kufitare të BE-së, të cilat përfshijnë Portin e Doverit, Eurotunelin në Folkestone dhe Eurostar në St Pancras. Eurotunnel tha se ishte gati që kontrollet e reja kufitare të zbatoheshin, por nuk i është dhënë një datë konkrete e fillimit. Ai shtoi se kishte ndërtuar një zonë të re për të përpunuar regjistrimin e pasagjerëve në terminal.