Samsung ka nisur prodhimin masiv të çipit Exynos 2600 duke përdorur procesin e avancuar 2nm GAA që pritet të fuqizojë modelet e serisë Galaxy S26. Ky zhvillim e vendos kompaninë koreane në një pozitë të favorshme për të fituar bashkëpunime të reja me prodhuesit kryesorë të çipave, Qualcomm dhe MediaTek, të cilët po kërkojnë alternativa ndaj TSMC për shkak të rritjes së çmimeve të saj.
TSMC planifikon të rrisë me 50% çmimin e procesit 2nm, ndërsa edhe çipat e saj 3nm ‘N3E’ dhe ‘N3P’ do të shtrenjtohen. Edhe pse raporte të ndryshme japin shifra të ndryshme, trendi i përgjithshëm është qartazi në rritje, çka ka bërë që Qualcomm dhe MediaTek të shqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit me Samsung Foundry.

Sipas burimeve të Chosun, Qualcomm tashmë ka krijuar një partneritet eksperimental me Samsung për të testuar një version 2nm GAA të Snapdragon 8 Elite Gen 5, që do të përdoret në telefonët e ardhshëm premium. Ndërkohë, MediaTek ka përfunduar “tape-out”-in e çipit të saj të parë 2nm dhe planifikon ta hedhë në treg në 2026.
Çmimet në rritje janë shqetësim për të dy kompanitë, pasi çipet aktuale Snapdragon 8 Elite Gen 5 dhe Dimensity 9500 kushtojnë deri në $280 dhe $200. Nëse trendi vazhdon, versioni i ardhshëm Gen 6 mund të kapërcejë $300, duke rritur presionin mbi prodhuesit e telefonëve.
Në këtë situatë, Samsung shihet si “fituesi i heshtur”. Me një rendiment prodhimi 50% në procesin 2nm, kompania ka mundësinë të rrisë ndjeshëm pjesën e saj në treg. Megjithatë, reputacioni i saj i dëmtuar nga problemet e mëparshme në cilësi dhe performancë mbetet pengesa kryesore për të fituar besimin e plotë të partnerëve të rinj.