SpaceX filloi shërbimin e saj të internetit nëpërmjet satelitëve Starlink në disa vende të botës. Përdoruesit mund të abonohen për të përfituar nga ky shërbim në Starlink.com dhe SpaceX i mundëson pajisjet e nevojshme bazuar në aftësinë e satelitëve për të dërguar sinjale në atë vendndodhje. Për momentin në orbitë gjenden rreth 1385 satelitë Starlink që bëjnë të mundur këtë shërbim.
Shumë përdorues beta të Starlink kanë raportuar një shpejtësi mjaft të madhe të internetit në javët e fundit. Garett, një përdorues i Starlink nga South Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar, shpërndau eksperiencën e tij një javore përmes kanalit të tij në YouTube të quajtur “IrishPixel”.
Gjatë videos ai përmendi se Starlink nxorri një firmware update gjatë kësaj jave e cila e rriti shpejtësinë e internetit nga 100Mbps në 400Mbps, gjë të cilën nuk e kishte provuar asnjëherë më parë. Garett shtoi se ishte mjaft i befasuar me mënyrën se si Starlink po e menaxhon situatën, duke lënë rezultatet të flasin për punën e bërë.