Një organizatë jofitimprurëse po sfidon kufizimet që prodhuesit vendosin mbi pajisjet moderne, duke ngritur një pyetje mjaft të rëndësishme: Sa realisht e zotëron një konsumator një pajisje pasi e ka blerë, nëse kompania mund t’i çaktivizojë funksionet nga distanca ose t’i heqë mbështetjen softuerike?
Kjo çështje u bë e dukshme kur Google ndaloi mbështetjen për termostatët Nest të gjeneratës së parë dhe të dytë, duke lënë shumë përdorues me pajisje që funksiononin vetëm pjesërisht dhe pa shërbime online.
Në qendër të kësaj lëvizjeje është Fulu (Freedom from Unethical Limitations on Users), një organizatë e themeluar nga aktivistët e “right-to-repair” Louis Rossmann dhe Kevin O’Reilly. Fulu drejton një program shpërblimesh të ngjashëm me bug bounty-t e sigurisë, por në vend që të kërkojë dobësi, ai shpërblen metoda teknike që heqin kufizime të papëlqyera ose rikthejnë funksionalitetin e pajisjeve të braktisura nga prodhuesit.
Organizata ofron $10,000 për zgjidhjen e parë funksionale për një pajisje të caktuar, me mundësi që shpërblimi të rritet nga donatorët. Fokusohen pajisje që konsiderohen “armiqësore” nga pronarët, si frigoriferët GE me DRM për filtrat e ujit, pastrues ajri Molekule që bllokojnë filtrat alternativë, dhe termostatët Nest pa mbështetje.
Megjithatë, Fulu paralajmëron për rreziqe ligjore, pasi ligji amerikan DMCA (Seksioni 1201) ndalon anashkalimin e enkriptimit apo DRM-së, edhe kur qëllimi është riparimi ose vazhdimi i përdorimit. Pagesa e parë u dha për një zgjidhje që rikthente funksionet e Nest, ndërsa një tjetër shpërblim shkoi për çaktivizimin e DRM-së te pastruesit Molekule.
Sipas Fulu-s, qëllimi nuk është vetëm ofrimi i zgjidhjeve, por edhe nxjerrja në pah e një ligji të vjetruar që, sipas tyre, nuk përputhet më me realitetin e teknologjisë moderne dhe të drejtën e pronësisë së përdoruesit.

