NASA dhe Google po bashkëpunojnë për të testuar një asistent mjekësor me inteligjencë artificiale (AI), i krijuar për të ndihmuar astronautët gjatë misioneve afatgjata, ku vonesat e komunikimit me Tokën e bëjnë të pamundur konsultimin mjekësor në kohë reale. Projekti është pjesë e vizionit të NASA-s për epokën e re të fluturimeve hapësinore nën programin Artemis.
Asistenti, i quajtur Creë Medical Officer Digital Assistant (CMO-DA), është një sistem mbështetës në marrjen e vendimeve klinike. Qëllimi i tij është t’i lejojë ekuipazhet të diagnostikojnë dhe trajtojnë simptomat në mënyrë autonome gjatë operimit përtej orbitës së ulët të Tokës, përfshirë misionet drejt Hënës dhe Marsit.

Sipas deklaratës së Google më 8 gusht, sistemi është trajnuar mbi literaturë hapësinore dhe përdor teknika të avancuara të përpunimit të gjuhës natyrore dhe mësimit makinerik për të ofruar analiza të shpejta e të sigurta mbi shëndetin dhe performancën e astronautëve. Rezultatet e hershme tregojnë potencial për diagnoza të besueshme bazuar në simptomat e raportuara. Aktualisht, NASA dhe Google po bashkëpunojnë me mjekë për ta testuar e përmirësuar më tej modelin.
Nevoja për një zgjidhje të tillë është kritike, pasi misionet në hapësirën e thellë përballen me vonesa komunikimi deri në 45 minuta për udhëtimin e sinjalit drejt dhe nga Marsi, duke e bërë të pamundur mbështetjen mjekësore nga Toka në kohë reale. Për më tepër, rikthimi i shpejtë në Tokë nuk është opsion.
Një asistent i tillë AI mund të bëhet një urë jetike sigurie për astronautët, duke u ofruar mbështetje mjekësore të menjëhershme. Përtej hapësirës, teknologjia mund të ketë aplikime të rëndësishme edhe në mjedise të izoluara dhe sfiduese në Tokë, ku mungojnë profesionistët shëndetësorë.