Meta Platforms po shtyn publikimin e modelit të saj më të avancuar të inteligjencës artificiale, të quajtur “Behemoth“, për shkak të shqetësimeve të brendshme mbi performancën e tij, sipas një raporti nga The Wall Street Journal.
Burime të njohura me situatën thanë se inxhinierët e kompanisë po përballen me vështirësi për të përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e modelit, duke ngritur pikëpyetje mes stafit nëse përmirësimet ndaj versioneve të mëparshme janë mjaftueshëm domethënëse për të justifikuar një prezantim publik.
Fillimisht, “Behemoth” ishte planifikuar të prezantohej në prill, për të përkuar me konferencën e parë për zhvilluesit në fushën e AI që organizoi Meta. Më vonë, afati i brendshëm u shty për në qershor, por tani prezantimi është shtyrë për në vjeshtë ose më vonë.
Në muajin prill, Meta e kishte përshkruar “Behemoth” si një nga modelet më inteligjente të gjuhës së madhe (LLM) dhe më të fuqishmin e saj deri më tani, duke thënë se do të shërbente si “mësues” për modelet e reja. Megjithatë, deri tani janë lëshuar vetëm variantet Llama 4 Scout dhe Llama 4 Maverick — versione të tjera të modelit të njohur Llama.
Meta nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me vonesën. Ky ngërç teknik dhe strategjik vjen në një kohë konkurrencë të fortë në tregun e AI, ku gjigantët si OpenAI, Google dhe Anthropic po avancojnë me shpejtësi me modelet e tyre të reja.