Mark Zuckerberg ka demonstruar disa prototipe të reja VR Headsets, vetëm dy muaj pasi Ming-Chi Kuo zbuloi disa detaje mbi Quest 2 Pro.
Siç Zuckerberg shpjegon në videon e mëposhtme, Meta ka zhvilluar disa prototipe të ndryshme që do të tejkalojnë barriera specifike që ekzistojnë në VR Headsets aktualë. Nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, Meta do të grumbullojë të gjitha përmirësimet në një produkt të vetëm.
“Butterscotch” është një emër i koduar për një headset që tenton të arrijë “rezolucionin retinal”, ekuivalente me 60 pixel për gradë. Aktualisht Quest 2 ofron 2.5 herë më pak pixels për gradë.
Gjithashtu Zuckerberg theksoi “Half Dome”, një prototip që ka si qëllim përmirësimin e perceptimit të thellësisë përmes ndjekjes së lëvizjes së syve dhe optikave varifokale. Për më tepër Meta pretendon se ka krijuar VR Headset-in e parë që mbështet HDR, me emrin e koduar “Starbust”. Ky prototip mund të arrijë ndriçimin 20,000 nits, shumë herë më të ndritshëm se smartphone-t, laptopët apo monitorët kontemporanë.
Së fundmi u përmend dhe Holocake 2, një njësi e cila prezantohet nga Mark Zuckerberg si e gatshme për luajtjen e lojrave VR nga kompjuteri. Për fat të keq Zuckerberg nuk ka ofruar asnjë informacion mbi lidhjen e VR Headset me PC.