Kina ka shënuar një vit të jashtëzakonshëm në fushën e teknologjisë, por arritja e saj më e madhe ndoshta vjen në fund të vitit 2025: krijimi i një “pishine kompjuterike” 2,000 km të gjërë, e cila lejon qendrat më të fuqishme të llogaritjes në vend të funksionojnë si një sistem i vetëm i unifikuar. Java e kaluar shënoi nisjen e Future Network Test Facility (FNTF), një rrjet gjigant të shpërndarë për inteligjencë artificiale, sipas South China Morning post. Ky rrjet përdor fibra optike me shpejtësi të lartë që lidh 40 qytete në të gjithë vendin, duke përshkuar 55,000 kilometra, një gjatësi sa për të rrethuar ekuatorin 1.5 herë.
Sipas drejtorit të projektit, Liu Yunjie, avantazhi kryesor i FNTF është efikasiteti i jashtëzakonshëm, që arrin 98% të performancës së një qendre të vetme llogaritëse. Kjo e bën të rëndësishëm për fusha me kërkesa shumë të larta në kohë reale, si trajnimi i modeleve të mëdha të AI, telemjekësia dhe interneti industrial.
FNTF është zemra e projektit të njohur si “East Data, West Computing”, i nisur që në vitin 2013, me synimin për të lidhur zonat e pasura me resurse në perëndim me qendrat e mëdha të të dhënave në lindje, ku kërkesa për zhvillim të AI është më e lartë. Ky sistem operon 24 orë në ditë, mbështet 128 rrjete të ndryshme dhe mund të ekzekutojë 4,096 prova shërbimi në të njëjtën kohë.
Gjatë testeve, ekipi i Liu transmetoi 72 terabajt të dhëna nga një radio-teleskop për vetëm 1.6 orë, një proces që në internetin e zakonshëm do të zgjaste rreth 699 ditë. Rrjeti është provuar po ashtu efektiv në zhvillimin e AI dhe ka ndihmuar kërkimet për teknologjitë 5G dhe 6G.
Rrjeti funksionon si një “hekurudhë e të dhënave”, ku çdo paketë trajtohet sipas një orari strikt, gjë që kërkon stabilitet ekstrem dhe furnizim konstant me energji. Ndërsa disa ekspertë e konsiderojnë projektin ambicioz, Kina duket e bindur se ky “super-kompjuter” kombëtar do t’i japë një avantazh strategjik në garën globale të AI dhe do të zgjerohet në industri si prodhimi dhe energjia.

