Topat zyrtarë të futbollit “Al Rihla” që po përdoren në Kupën e Botës në Katar janë aq të avancuar teknologjikisht, saqë përveç mbushjes me ajër kanë nevojë dhe të karikohen.
Të prodhuar nga Adidas, këto topa kanë një sensor brenda tyre të cilat masin të dhëna të ndryshme si shpejtësia e topit apo drejtimi, dhe bëjnë të mundur kontrollimin e pozicionit jashtë loje nëpërmjet VAR.
Një foto e pabesueshme e publikuar në Reddit tregon se si topat karikohen njësoj si një smartphone. Sensori fuqizohet nga një bateri e vogël, e cila sipas Adidas mund të zgjasë deri në 6 orë përdorim aktiv, ose deri në 18 ditë kur nuk përdoret vazhdimisht. Pesha prej vetëm 14 gramësh e këtij sensori bën që ai të mos ndikojë pothuajse aspak në goditjet e topit.
“Çdo herë që topi goditet apo preket nga futbollistët, sistemi arrin ta regjistrojë në 500fps.” tha Maximillian Schmidt, bashkë-themelues i KINEXON, kompanisë që ka prodhuar këtë sensor.
“Të dhënat e grumbulluara dërgohen në mënyrë të menjëhershme nga sensorët drejt Local Positioning System (LPS) nëpërmjet rrjetit të antenave të instaluara në fushën e lojës. Sa herë një top largohet jashtë lojës dhe zëvëndësohet me një top të ri, sistemi KINEXON ndryshon automatikisht burimin e të dhënave në topin e ri që gjendet në fushë.” shtoi Schmidt.