Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është një qendër e re e cila do të asistojë me monitorimin gjatë 24 orëve të lëvizjeve në autostrada në të gjithë Shqipërinë, për të rritur sigurinë rrugore dhe për të ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit.
Në këtë moment ka nisur hapi i parë i projektit, duke monitoruar 200km e para të akseve kombëtare, ndërkohë që synimi final është monitorimi i 3650 km. Qendra e monitorimit me 122 punonjës në total do të mbështetet në sistemin “Smart City”. Nëpërmjet këtij monitorimi, do të ulet numri i punonjësve të Policisë Rrugore që patrullojnë në terren.
“Në nivelin e sigurisë rrugore, në nivelin e urgjencës mjekësore, në nivelin e emergjencave civile dhe është një detyrim i madh që do ta shoqërojmë me një reformë, ku të gjitha urgjencat dhe të gjitha thirrjet dhe të gjithë këto drejtime të jenë të unifikuara.
Kjo është ajo që na duhet, ndërkohë që gjithë kjo qendër moderne e monitorimit do të mbështetet nga sistemi i qyteteve të zgjuar ose Smart City me rrjetin e kamerave inteligjente dhe inteligjencën artificiale që do të bëjnë të mundur që në kohë reale të mblidhet i gjithë informacioni në çdo metër, jo në çdo kilometër, për të gjitha natyrat e programatikeve dhe më në fund të largohet edhe policia nga pritat në rrugë. Por ama të jetë e gatshme në çdo moment që me sinjalizimin e këtij inspektori virtual të vihet në lëvizje”, tha kryeministri Edi Rama.
Sipas burimeve zyrtare, këto kamera janë të pajisura me teknologji të njohjes automatike të targave dhe regjistrimit të shkeljeve si tejkalimi i shpejtësisë apo parakalimet e rrezikshme. Sistemi është i automatizuar dhe në shumë raste gjobat dërgohen elektronikisht tek pronarët e automjeteve.
Akset rrugore që do të monitorohen përmes radarëve dhe kamerave në këtë fazë janë: Autostrada Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, Durrës-Plazhi i Unazës, Durrës-Kavajë, Kavajë-Rrogozhinë, Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë, Vorë-Ahmetaq, Qafë-Kashar-Rinas-Ahmetaq.