Helikopteri i parë që fluturoi në sipërfaqjen e planetit Mars është Ingenuity, ai i NASA. Konfirmimi erdhi pasi të dhënat e grumbulluara nga Ingenuity arritën në agjensinë Jet Propulsion Laboratory.
Helikopteri i fuqizuar nga energjia diellore filloi fluturimin në 12:33 (në orën e Marsit) pasi ekipi i JPL zbuloi se në këtë orë do të sigurohej energjia e duhur dhe kushtet atmosferike do të ishin më të favorshme. Në lartësinë 3 metra Ingenuity arriti të qëndronte pa lëvizur për rreth 30 sekonda. Më pas ai u ul në sipërfaqjen e Marsit pas një fluturimi total prej 39.1 sekondash.
Fluturimi fillestar ishte tërësisht autonom, i kontrolluar nga sistemet që përdornin algoritmet e zhvilluara nga JPL. Pilotimi i helikopterit nuk mund të bëhet nëpërmjet një telekomande, pasi sinjali duhet të dërgohet në Mars dhe të rikthehet në Tokë, gjë që kërkon kohë.
Ky fluturim ishte i mbushur plot me të panjohura. Graviteti në Mars është afërsisht 1/3 e atij në Tokë dhe një atmosferë me rreth 1% të presionit sipërfaqësor krahasuar me planetin tonë. Kjo nënkupton se ka më pak molekula ajri me të cilat Ingenuity mund të bashkëveprojë për të arritur fluturimin.