Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, hakerët kanë vjedhur mbi $2.17 miliardë në kriptomonedha, duke shënuar vitin më të keq në histori për vjedhjet dixhitale, sipas të dhënave të reja nga firma e analizës së blockchain-it Chainalysis. Kjo shumë e kaluar tashmë totalin e vjedhjeve të vitit 2024 dhe është 17% më e lartë se e njëjta periudhë në vitin 2022, i cili më parë mbahej si viti më i keq.
Pjesa më e madhe e këtyre fondeve — mbi $1.4 miliardë— janë vjedhur në një sulm të vetëm ndaj platformës së këmbimit të kriptomonedhave Bybit, i cili besohet të jetë kryer nga hakerë të Koresë së Veriut. Sipas FBI-së, shumica e fondeve të vjedhura janë pastruar dhe përdorur për të financuar regjimin e Koresë së Veriut, si pjesë e një strategjie më të gjerë për shmangien e sanksioneve ndërkombëtare.

Chainalysis thekson se sulmet kibernetike të Koresë së Veriut janë bërë gjithnjë e më thelbësore për mbijetesën ekonomike dhe strategjinë politike të vendit. E izoluar nga sistemi ndërkombëtar bankar, Koreja e Veriut ka kthyer krimin kibernetik në armë, veçanërisht duke sulmuar kompani perëndimore për të financuar programin e saj të armëve bërthamore.
Përveç sulmeve direkte, Koreja e Veriut përdor gjithashtu punonjës IT të fshehur, që punësohen në distancë në kompani të huaja për të vjedhur pronësi intelektuale dhe për të shantazhuar viktimat në këmbim të mospublikimit të të dhënave.
Sipas një raporti të mëparshëm të Chainalysis, gati dy të tretat e vjedhjeve të kriptomonedhave në 2024 ishin të lidhura me aktorë nga Koreja e Veriut.