Reklamimi efektiv është një nga sfidat më të mëdha për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat shpesh kanë mungesë buxheti, kohe dhe burimesh. Për t’i ndihmuar këto biznese, Google ka prezantuar Pomelli, një eksperiment i ri nga Google Labs në bashkëpunim me DeepMind, që përdor inteligjencën artificiale për të krijuar fushata marketingu të personalizuara.
Procesi është i thjeshtë: përdoruesit duhet të ngarkojnë thjesht faqen e tyre të internetit. Pomelli e analizon atë për të ndërtuar një profil të quajtur “Business DNA”, që përfshin paleta ngjyrash, fonte dhe elemente vizuale të markës. Bazuar në këtë ADN digjitale, platforma mund të gjenerojë logo, slogane dhe vlera të brandit, duke krijuar një identitet të plotë vizual për biznesin.
Pasi ADN-ja e biznesit është krijuar, Pomelli propozon ide për fushata reklamuese. Nëse përdoruesit kanë ide të tyre, mund t’i shtojnë si “prompt” për t’u përpunuar nga sistemi. Në fund, mjeti prodhon reklama për rrjete social apo faqe webi, që më pas mund të personalizohen me imazhe, tituj apo përshkrime.
Aktualisht, Pomelli është në fazë beta publike dhe i disponueshëm në SHBA, Australi, Kanada dhe Zelandë të Re, vetëm në gjuhën angleze. Me këtë lëvizje, Google i bashkohet një tendence më të gjerë në industrinë teknologjike: përdorimit të AI për marketing. Konkurrentë si Amazon kanë lançuar agjentë AI për krijimin automatik të reklamave, ndërsa Adobe Foundry u ofron kompanive mundësinë për të trajnuar modelet e tyre të gjenerimit të imazheve dhe videove me të dhënat e brendshme, duke ruajtur pronësinë intelektuale.

