Gjatë mbledhjes së fitimeve të tremujorit të parë të këtij viti, CEO i Tesla theksoi rëndësinë e robotit humanoid të quajtur Optimus, i cili pritet të lançohet duke filluar nga viti 2023.
“Unë jam tepër i surprizuar me faktin se si njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë shkallën e rëndësisë së programit Optimus.” tha Musk ditën e mërkurë. “Të gjithë personat që janë të interesuar rreth kësaj çështjeje do të kuptojnë se Optimus do të jetë akoma më i vlefshëm se biznesi i makinave dhe drejtimi autonom i tyre. Unë i qëndroj këtij mendimi.”
Musk tha se modelet e para të robotit mund të arrijnë gjatë vitit të ardhshëm, mirëpo ekspertët e dyshojnë shumë një gjë të tillë, duke ditur dhe shtyrjen e produkteve të tjera që Tesla ka bërë më parë si Roadster apo Cybertruck. Madje në 2016 Musk bëri premtimin se makinat do të drejtohen në mënyrë autonome në vitin 2017 – gjë që nuk ka ardhur ende as në 2022.
Qëllimi i krijimit të këtij roboti është ulja e kostove të punës. “Ai do të jetë miqësor dhe do të kryejë punë që janë të rrezikshme, përsëritëse dhe tepër të mërzitshme.” tha Musk gjatë prezantimit. Gjithashtu ai shtoi se roboti nuk shfaq asnjë rrezik për humanët, si në rastin e Terminator.