Drejtuesit e dy nga kompanive më të mëdha prodhuese të aeroplanëve i kanë bërë thirrje qeverisë amerikane që të shtyjnë përhapjen e shërbimit të ri telefonik 5G. Në këtë letër ato paralajmërojnë se kjo teknologji mund të ketë një impakt negativ shumë madhor në industrinë e aviacionit.
Më herët u bë e ditur se spektri C-Band i 5G mund të interferonte me pajisjet elektronike të aeroplanëve. “Interferenca e rrjetit 5G mund të ndikojë në mënyrë të pafavorshme në aftësinë e operimit të sigurt të mjeteve fluturuese.” thanë drejtuesit Dave Calhoun dhe Jeffrey Knittel në letrën e përbashkët drejtuar sekretarit Pete Buttigieg.
Në letër përmendet se nëse rregullat e 5G në Federal Aviation Administration do të ishin në fuqi nga 2019, rreth 345,000 pasagjerë dhe 5,400 fluturime mallrash do të ishin përballur me vonesa, devijime apo dhe anullime.
Në nëntor, kompanitë telefonike AT&T dhe Verizon e shtynë lançimin komercial të shërbimit C-Band wireless deri në datën 5 janar dhe tregojnë se kanë marrë masa për limitimin e interferencës, mirëpo industria e aviacionit shprehet se këto masa nuk janë aq të mirëfillta.
Grupi industrial telefonik CTIA i quan këto pretendime gënjeshtra dhe tregon se me shtyrjen e aplikimit të shërbimit 5G rritja eknomike do të bie me $50 miliardë.