Mark Zuckerberg, i njohur për përpjekjet e tij agresive për të rekrutuar talentët më të mirë në teknologji, së fundmi është fokusuar te ndërtimi i një ekipi elitar për laboratorin e ri të Meta-s Superintelligence Lab. Strategjia e tij përfshiu ofertat më marramendëse të bërë ndonjëherë në industrinë e inteligjencës artificiale—drejtuar studiuesve të Thinking Machines Lab, startup-i i krijuar nga ish-CTO e OpenAI, Mira Murati.
Sipas Wired, ofertat ishin të jashtëzakonshme. Një studiues u raportua se mori një ofertë me vlerë 1 miliard dollarë për disa vite, ndërsa të tjerët u tunduan me 200–500 milionë dollarë, me pagesë brenda katër vitesh. Megjithatë, asnjë punonjës i Thinking Machines Lab nuk e pranoi ofertën e Meta-s.

Thinking Machines Lab, e themeluar pas largimit të Muratit nga OpenAI, është bërë shpejt një nga kompanitë më të vëzhguara në fushën e AI. Startup-i ka siguruar financime me një vlerësim prej 12 miliardë dollarësh, pavarësisht se nuk ka hedhur ende një produkt në treg. Kjo tregon besimin e madh të investitorëve tek vizioni i Muratit.
Shumë besojnë se aftësia e Muratit për të frymëzuar besnikëri dhe vizioni i saj afatgjatë janë arsye kryesore pse ekipi i saj ka qëndruar i bashkuar. Në një industri ku pagat e mëdha shpesh vendosin fatin e punonjësve, ky refuzim kolektiv ka habitur këdo.

Ky rast tregon se vizioni dhe udhëheqja mund të peshojnë më shumë se paratë. Për Zuckerberg është një pengesë e madhe, ndërsa për Muratin, një dëshmi e forcës së saj si lidere dhe e përkushtimit të ekipit ndaj një misioni të përbashkët.