CES 2026 po afron dhe kompanitë teknologjike po përgatiten të prezantojnë risitë e tyre më të fundit. Asus ka ngjallur interes duke publikuar një “teaser” për kasën e re të kompjuterit ROG G1000, e cila duket se përfshin një komponent rrotullues të aftë për të krijuar një imazh holografik. Prezantimi zyrtar i saj do të mbahet më 5 janar, gjatë eventit të Asus në CES 2026.
Në një video të postuar në rrjetin X, Asus shfaq një pamje të stilit “X-ray” të kasës, ku dallohen fjalët “AniMe Holo”. Nga pamjet e para, sugjerohet se ROG G1000 përmban një ventilator në formë X, të mbuluar me LED, i cili krijon një hologram përmes efektit “persistence of vision” (POV). Ky efekt optik krijohet kur burimet e dritës lëvizin ose rrotullohen me shpejtësi të madhe, duke bërë që syri i njeriut t’i perceptojë si një imazh të vetëm tredimensional që duket sikur pluskon në ajër.
Megjithatë, ka ende shumë pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të këtij sistemi. Ideja e një ventilatori të madh dhe të shpejtë, pranë komponentëve të ndjeshëm të një PC-je ngre shqetësime për sigurinë dhe dizajnin. Një mundësi është që elementi rrotullues të jetë i izoluar mes paneleve mbrojtëse prej xhami.
Gjithashtu nuk dihet ende nëse ROG G1000 do të jetë një produkt konceptual apo një kasë e destinuar për shitje. Në rast se del në treg, pritet të ketë një çmim të lartë. Asus nuk është e para që eksperimenton me holograme në kasa PC. Shembuj të mëparshëm përfshijnë panele holografike nga Showcase Hologram, kasa Snowblind të iBuyPower dhe “Holo Fans” të Coolify. Kjo risi vazhdon linjën AniMe të Asus, e njohur për elemente vizuale LED kreative në laptopë dhe pajisje të tjera.

