Apple ka prezantuar më në fund headset-in e shumëpritur dhe shumëpërfolur në media zyrtarisht me emrin Apple Vision Pro.
“Ky është produkti i parë i Apple përmes të cilit ju do të shikoni përtej tij, dhe jo në të.” tha CEO Tim Cook për Vision Pro, të cilat duken si syze që përdoren nga skiatorët. Siç përflitej, kjo pajisje vjen me një bateri të veçuar dhe mund të kontrollohet përmes lëvizjes së syve, duarve dhe nëpërmjet zërit. Për të bërë tuajën këtë pajisje duhet të paguani $3,499.
Vision Pro është pozicionuar fillimisht si një pajisje AR, por që mund të lëvizë midis AR dhe realitetit virtual. Kjo pajisje nuk vjen me një controller, dhe aksesimi i aplikacioneve do të bëhet përmes sistemit operativ të quajtur visionOS, që do të regjistrojë lëvizjen e syve tuaj.
Ky headset mbështet dhe përdorimin e pajisjeve përmes Bluetooth, si përshembull Magic Keyboard apo Magic Trackpad, si dhe ju lejon të përdorni ekranin e saj si një ekran dytësor për Mac-un tuaj.
Kamerat e vendosura në pjesën e poshtme të Vision Pro do të regjistrojnë lëvizjen e duarve tuaj dhe do t’i përkthejnë në komanda. Në total do të jenë 12 kamera, 5 sensorë, një ekran 4K për secilin sy si dhe një kompjuter që ftohet nga freskuesja.
Rripi mbështetës i quajtur Head Band është tepër fleksibël dhe mund t’i përshtatet madhësive të ndryshme të kokës. Për të gjithë personat që mbajnë syze, Apple ka bashkëpunuar me Zeiss për të krijuar lente që fiksohen në mënyrë magnetike në Vision Pro.
Ky sistem përdor proçesorin M2 të Apple, por përveç tij ka dhe një proçesor tjetër të quajtur R1.
Personat e tjerë pranë jush do të jenë në gjendje të shikojnë sytë tuaj përmes shërbimit EyeSight, por kur të jeni duke përjetuar eksperiencën VR, kjo pamje do të errësohet duke i lënë këta persona të kuptojnë se jeni të zënë.
Ju mund të krijoni gjithashtu një avatar tepër real të vetes tuaj përmes skanimit të fytyrës nga Vision Pro.