Transplantet e organeve kanë përparuar ndjeshëm që nga transplanti i parë i zemrës nga njeriu te njeriu në vitin 1967. Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord historik me mbi 48,000 transplante organesh brenda një viti. Me rritjen e numrit të transplanteve, mjekët po vërejnë gjithnjë e më shumë fenomene të pazakonta, një prej tyre është ndryshimi i personalitetit te pacientët pas transplantit.
Janë raportuar raste ku marrësit e organeve kanë përjetuar ndryshime në shijet ushqimore, si një grua vegjetariane që pas transplantit të zemrës nisi të kishte neps për mish pule, ose persona që pas transplantit të palcës së kockave ndryshuan preferencat për ushqime dhe pije. Përveç ushqimit, disa pacientë kanë raportuar ndryshime edhe në shijet muzikore, art, humor, madje edhe në orientim seksual.

Sipas profesorit Adam Taylor nga Universiteti i Lancasterit, një pjesë e këtyre ndryshimeve mund të shpjegohet me efektin placebo dhe ndikimin psikologjik të “një shansi të dytë për jetën”. Megjithatë, ai thekson se ka edhe arsye biologjike për të besuar se këto ndryshime janë reale. Organet e transplantuara ndikojnë në fiziologjinë e trupit, duke prodhuar hormone dhe molekula sinjalizuese që mund të ndikojnë në tru, humor dhe reagimet emocionale.
Zemra është një shembull i rëndësishëm, pasi ajo prodhon hormone që ndikojnë në sistemin nervor dhe përgjigjen “lufto ose ik”. Po ashtu, serotoninën, e njohur si “molekula e lumturisë”, trupi e prodhon kryesisht në zorrë, çka tregon se organet janë të ndërlidhura ngushtë.
Megjithëse nevojiten më shumë studime, kërkimet e hershme sugjerojnë se deri në 90% e pacientëve që kryejnë transplant organesh vërejnë ndryshime në personalitet. Kjo tregon se trupi dhe mendja janë shumë më të ndërlidhura sesa mendohej më parë.

