Shkencëtarët në Universitetin e Illinois Urbana-Champaign dhe Universidade de São Paulo kanë krijuar një metodë të re për të luftuar krizën globale të insulinës përmes lopëve të modifikuara gjenetikisht.
Studimi i tyre prezanton një viç të modifikuar gjenetikisht të aftë për të prodhuar qumësht që përmban insulinë njerëzore, një hap shumë i madh në bioteknologji që synon të sigurojë insulinë me çmim të përballueshëm për diabetikët në mbarë botën. Të sëmurët me diabet të tipit 1 dhe të tipit 2, të cilët nuk mund të prodhojnë insulinë të mjaftueshme për shkak të qelizave të dëmtuara të pankreasit, shpesh përballen me pengesa në marrjen e ilaçeve që shpëtojnë jetën.
Kostoja dhe disponueshmëria e insulinës mbeten barriera të rëndësishme, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Duke shfrytëzuar efikasitetin natyror të gjëndrave të qumështit të lopës për të prodhuar proteina, studiuesit kanë gjetur një zgjidhje të mundshme për këto sfida. Procesi përfshin futjen e ADN-së njerëzore që kodon për proinsulinën – një pararendës i insulinës – në embrionet e lopës.
Kjo qasje transgjenike rezultoi në lindjen e një viçi të aftë për të prodhuar qumësht jo vetëm me proinsulinë, por edhe, në mënyrë të papritur, me insulinë biologjikisht aktive. Ky zbulim hap rrugën për një burim të bollshëm të insulinës humane dhe me kosto të përballueshme.
Vlerësimet paraprake sugjerojnë se edhe një tufë e vogël e këtyre lopëve të modifikuara mund të prodhojë mjaftueshëm insulinë për të përmbushur kërkesat kombëtare, nëse jo globale. Kjo qasje ofron një alternativë premtuese ndaj metodave aktuale të prodhimit të insulinës, të cilat kërkojnë më tepër angazhim për t’u prodhuar.
Ndërsa kjo metodë shkon drejt ri-klonimit për prodhim të zgjeruar dhe pritet miratimi rregullator, ajo mund të revolucionarizojë mënyrën e sigurimit të insulinës. Në këtë mënyrë menaxhimi i diabetit mund të bëhet shumë herë më i lehtë për miliona në mbarë botën. Ky studim, i botuar në revistën Biotechnology Journal, tregon potencialin e bashkimit të gjenetikës dhe bujqësisë për të zgjidhur sfidat urgjente mjekësore.