Apple po përgatitet të prezantojë një version të përmirësuar të Siri vitin e ardhshëm, me funksione të avancuara të inteligjencës gjenerative. Sipas raportimeve të Bloomberg dhe analistit të njohur Mark Gurman, kompania ka arritur një marrëveshje me Google për të përdorur modelin Gemini LLM, duke braktisur bisedimet e mëparshme me Anthropic dhe OpenAI për përdorimin e Claude apo ChatGPT.
Versioni i ri i Siri do të mbështetet në Gemini për kërkim inteligjent në internet dhe për funksione të tjera të avancuara gjuhësore. Megjithatë, disa punonjës të Apple kanë shprehur dyshime mbi reagimin e përdoruesve të iPhone ndaj përdorimit të një modeli nga Google, për shkak të shqetësimeve për privatësinë. Për ta adresuar këtë, Apple po paguan një shumë të pa publikuar që Google të zhvillojë një version të personalizuar të Gemini, i cili do të funksionojë në serverët e Apple, jo në ato të Google. Ky konfigurim synon të garantojë se të dhënat e përdoruesve nuk do të përdoren për reklama apo qëllime të tjera të palëve të treta.

Bashkëpunimi kufizohet vetëm tek Gemini, pa përfshirë aplikacione si Gmail, Google Maps apo Google Photos, duke ruajtur ekosistemin e mbyllur të Apple.
Fillimisht, Apple kishte zhvilluar bisedime me Anthropic dhe OpenAI, por negociatat me Anthropic u ndërprenë pasi kompania kërkoi një kontratë shumë miliardëshe. Pas disa muajsh vonesash për shkak të integrimit të kodit të vjetër të Siri me modelet e reja AI, versioni i përmirësuar pritet të lançohet në mars 2026 me iOS 26.4.
Në të njëjtin muaj, Apple pritet të prezantojë edhe një smart display të ri, ndërsa më vonë në WWDC 2026 do të shfaqë iOS 27, macOS 27, dhe versionet e tjera të sistemeve të veta operative.

