Pas 2 vitesh plot raportime në lidhje me smartphone-in më të ri të palosshëm nga Google, më në fund kemi pamje reale të këtij produkti. Leaker-i Kuba Wojciechowski ka shpërndarë në Twitter një video që na tregon në mënyrën më të mirë deri më tani se si mekanizmi palosës i Google Pixel Fold funksionon.
Ne mund të shikojmë se ky produkt duket shumë i ngjashëm me renderat e krijuara më parë në rrugë jo-zyrtare, duke pasur gjithashtu disa korniza që konsiderohen “të trasha” në ditët e sotme. Për sa i përket formatit të ekranit, duket se produkti i Google do të jetë më tepër i ngjashëm me Oppo Find N2 se sa me Galaxy Z Fold. Sigurisht që Pixel Fold do të fuqizohet nga proçesori Tensor.
??? pic.twitter.com/zTpEo18K4y
— Kuba Wojciechowski :3 (@Za_Raczke) April 22, 2023
Raportimet tregojnë se ekrani i brendshëm do të ketë një madhësi 7.6 inç, ndërkohë që ekrani i jashtëm 5.8 inç. Që të dy këto ekrane do të jenë OLED dhe me refresh rate 120Hz. Pajisja duket të jetë mjaft e hollë dhe në momentin e palosjes (rreth 8.3mm).
Pritet që ky smartphone të prezantohet gjatë eventit të përvitshëm Google I/O në datën 10 maj, me një çmim që do të nisë prej $1,799. Ju do të mund ta blini pajisjen në dy ngjyra: Carbon dhe Porcelain.