Gjatë javës së kaluar, TechCrunch raportoi se themeluesi i OnePlus, Carl Pei, i cili tashmë drejton Nothing, është shumë pranë prezantimit të smartphone-it të parë nga kjo kompani. Tashmë leaker-i i besueshëm Evan Blass ka publikuar në llogarinë e tij në Twitter një foto e cila konfirmon raportimin e bërë nga TechCrunch.
Në këtë foto duket mjaft qartë Pei i cili po i tregon një prototip të pajisjes ende të paprezantuar CEO-s të Qualcomm, Cristiano Amon. Kjo foto besohet të jetë bërë para pak ditësh gjatë Mobile World Congress në Barcleonë.
Nothing to see here. pic.twitter.com/mzLeTVHSXm
— Ev (@evleaks) March 7, 2022
Ky smartphone mund të prezantohet para publikut që në muajin e ardhshëm, dhe sigurisht në këtë pajisje nuk mund të mungojnë elementët e transparencës. Për momentin do të mjaftohemi vetëm me këtë fotografi të paqartë, pasi nuk ekziston asnjë provë tjetër e ekzistencës së smartphone-it.
Produkti i parë i lançuar nga Nothing ishin kufjet wireless, të cilat dolën në treg një vit më parë. Mirëpo që në fillim Pei ka patur planet e qarta për të krijuar një ekosistem pajisjesh. Smartphone-i është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij ekosistemi, dhe me kalimin e kohës do të shohim dhe se cilat do të jenë pajisjet më të reja që do t’i bashkohen këtij ekosistemi.