Google nuk ka prodhuar një smartphone me ekran më të vogël se 6” që në vitin 2020, me Pixel 4a. Mirëpo ditët e fundit ka nisur të qarkullojë një raportim ku tregohet se kompania po përgatitet për një rikthim në tregun e smartphone-ve kompakt.
Digital Chat Station tregoi në Weibo se Google po punon në një “pajisje flagship me ekran të vogël” që ka emrin e koduar Neila. Është ende e paqartë se kur kjo pajisje do të jetë gati për t’u prezantuar, por dihet se është pothuajse e pamundur që ajo të prezantohet gjatë eventit të 6 tetorit që kompania ka lajmëruar.
Smartphone-t me ekrane të vogla janë zhdukur nga tregu gjatë viteve të fundit, dhe shumica e smartphone-ve kanë ekran me madhësi mbi 6”. Madje dhe Apple vendosi të tërhiqej nga versioni iPhone mini që kishte prodhuar për disa gjenerata për shkak se ato nuk ishin shumë të kërkuara.
Megjithatë pritet që kjo pajisje të lançohet për tregun ndërkombëtar, duke siguruar kështu një mbështetje më të gjërë për të gjithë përdoruesit që preferojnë ekranet kompakte.