Apple i ka paguar $950 milion Samsungut dhe kësaj radhe jo prej gjyqit të ndonjë patente.
Për të qenë më të saktë ia ka paguar Samsung Display-t, sepse Apple nuk paska blerë mjaftueshëm ekrane sa për të kapur parashikimet e kontratës me kompaninë e cila prodhon ekranet për iPhonët e saj.
Samsung ka deklaruar të ardhurat e tremujorit të dytë të 2020, dhe mes fitimeve listohet edhe një pagesë e plotë nga Apple në Display. Duke kthyer kështu diçka që në kushte të tjera do të ishte një humbje, në një fitim të pastër për Koreanët.
Por nuk është vetëm Samsung, pjesë më të vogla të sasisë totale do të mbuloheshin edhe nga LG Display dhe BOE Technology.
LG u kontraktua të prodhonte 20 milion panele OLED për iPhone 12 këtë vit, ndërsa Samsung Display 56 milion njësi.
Një ide më e saktë për humbjet e vërteta do të pasqyrohet kur Apple të deklarojë tremujorin e dytë 2020 në 30 korrik.
Nëse raporti i pagesës së penales rezulton i vërtetë, kjo do të thotë se Apple nuk i ka përmbushur pritshmëritë për shitjen e iPhone. Arsyeja është më se e qartë, shumë nga dyqanet Apple kudo nëpër glob qëndruan mbyllur për një kohë të gjatë. Covid-19 nuk kursen askënd.