Prezantimi i formës së PlayStation 5 është padyshim ylli i shfaqjes, ama le të rikujtojmë që eventi ishte i dedikuar ekskluzivisht lojrave të reja. Dhe mes titujve bombastikë dhe të shumëpritur, një lojë modeste me një koncept shumë “cute” na tërhoqi vëmendjen.
Stray është një lojë e cila ka për protagonist një mace të humbur në një botë ku njerëzimi është shfarosur dhe qytetet janë populluar nga robotët.
Loja e zhvilluar nga BlueTwelve, nisi nga 2 njerëz nën emrin HK Project që në 2015. Publikues i lojës është Annapurna Interactive.
“Stray është një lojë aventurë third-person cat e vendosur mes rrugicave të detajuara nga dritat e neonëve të një qyteti në kalbje e sipër…” përshkruan Annapurna.
“Lojtarët do të jenë një mace e humbur, e cila endet poshtë e lartë, mbrohet nga kërcënime të papritura dhe zgjidh misteret e këtij vendi jo-miqësor të banuar nga asgjë tjetër veç robotëve dhe krijesave të rrezikshme. I humbur, vetëm dhe larg familjes, lojtarët duhet të zgjidhin një mister antik për tu arratisur nga ky qytet i harruar kibernetik dhe të gjejë rrugën e shtëpisë.”
Traileri tregon një qytet në dukje aziatik, asnjë fryme njeriu përqark, madje edhe disa robotë janë të pastrehë.
Në fund përballemi me një pamje vërtetë intriguese të protagonistit tonë i cili mban në kurriz edhe një çantë shpine.
Cfarë fshihet aty? Cfarë aftësish ka macja jonë?
Ngelet për tu zbuluar në 2021.