Krijuesi i Squid Games, Hwang Dong-hyuk, është treguar shumë i sinqertë në deklaratat e tij për shtyp, ku ka treguar se dhe pse ky serial u shndërrua në një prej më të ndjekurve në histori, nuk e ka bërë atë shumë të pasur.
Një raportim i ri nga Los Angeles Times detajon mënyrën se si Squid Game arriti të rriste vlerën e brendshme të Netflix me më tepër se $900 milionë, mirëpo Hwang nuk përfitoi aspak nga këto shifra.
Ai tregoi në një intervistë në vitin 2021 se Squid Game i bëri atij mjaftueshëm para për t’u ushqyer, por është shumë larg nga të qenurit i pasur. Hwang u përpoq 1 dekadë për të shitur historinë e shkruajtur nga ana e tij, dhe për këtë arsye ra dakord të firmoste kontratën me Netflix pa marrë mirë parasysh pjesën e fitimeve.
Në një moment të jetës së tij ai po jetonte me mamanë dhe gjyshen e tij, dhe iu desh të shiste laptopin për $675 për të grumbulluar para. Në momentin që Netflix e pranoi krijimin e këtij seriali, i ofroi një kontratë pa përfitime ekstra në bazë të suksesit të serialit.
Historia e Hwang u përdor për të ilustruar një trend më të gjerë përmes të cilit Netflix ka përfituar nga dramat koreane, ndërkohë që krijuesit fitojnë shumë pak. “Në fillim ishte emocionuese të mendosh se njerëzit në mbarë botën do të ishin në gjendje të shikonin shfaqjet e mia,” tregoi një shkrimtar për LA Times. “Por tani unë jam duke menduar, ‘Pra, çfarë? Nuk po marr asgjë nga kjo.”