Ditën e enjte zyra e drejtuesit të National Intelligence ka publikuar një version jo të klasifikuar të raportit të përvitshëm mbi UFO-t ose objektet fluturuese të paidentifikuara.
Përgjatë vitit të kaluar në këtë zyrë janë regjistruar 366 raportime të reja, ku përfshihen shfaqjet gjatë kohëve të fundit të këtyre objekteve ose shfaqjet e mëparshme që janë zbuluar në dosjet ekzistuese. Që nga viti 2004 drejt zyrës së drejtuesit të National Intelligence janë regjistruar në total 510 raportime, një numër i rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar.
Përfaqësuesit e kësaj zyre kanë bërë të ditur se në gjysmën e raportimeve shfaqen pamje me “karakteristika të zakonshme.” 26 prej raportimeve janë karakterizuar si dronë, 163 si objekte të ngjashme me balonat dhe 6 të tjera si sinjale të rreme. Mirëpo janë dhe 171 raste të tjera të cilat nuk kanë një shpjegim “në të cilat shfaqen karakteristika jo të zakonshme fluturimi, që kërkojnë një analizë më të gjërë”.
Ky vlerësim tregon se rritja e raportimeve për objektet fluturuese të paidentifikuara vjen si pasojë e “normalizimit të diskutimit rreth UFO-ve”. Shumica e raportimeve vijnë nga U.S. Navy dhe pilotët e U.S. Air Force të cilët i raportojnë përmes kanaleve zyrtare.
Një zyrtar i SHBA tregoi për CBS News se asnjë nga incidentet e lartpërmendura nuk është vërtetuar të vijë nga Kina, Rusia, apo ndonjë shtet tjetër.