Përdoruesit e rrjeteve sociale si WhatsApp apo Tinder kanë mbetur disi të pakënaqur kur kanë parë se GIF më i përdorur i momentit është një nëndetëse e verdhë. Me shumë mundësi kjo gjë ka ndodhur për shkak të humbjes së nëndetëses e cila ofronte udhëtime në rrënojat e Titanikut në thellësinë rreth 3,800 metra.
Disa nga përdoruesit akuzuan kompanitë se po tregoheshin “të ligë” duke vendosur këtë GIF në krye të renditjes dhe pse kërkimi për këtë nëndetëse vazhdon ende me shpresën se 5 personat e pranishëm në të janë ende gjallë. Mirëpo në të vërtetë libraritë GIF thjesht tregojnë në krye GIFs më të përdorura të momentit.
Ky GIF shfaqet gjithashtu dhe në Facebook Messenger, por jo në Twitter dhe Instagram. WhatsApp dhe Tinder përdorin Tenor si ofrues të librarive GIF, e cila është nën pronësinë e Google.
Ekspertët tregojnë se në këtë rast nuk është aspak një vendim i kompanisë për të vendosur këtë GIF në krye të renditjes, por kjo vjen si rezultat i përdorimit të shpeshtë nga njerëz të ndryshëm.