Edona Bilali, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ka lajmëruar ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për krijimin e një agjencie që do të ndihmojë të gjithë sipërmarrësit e rinj.
“Ndryshimet ligjore bëhen kryesisht për efekt të përfshirjes së një koncepti, që janë nomadët digjitalë, që sipas ligjit njihen punonjësit lëvizës digjital.
Është iniciativë që është përqafuar nga shumë vende të botës. Në Shqipëri, janë rreth 100 nomadë që operojnë dhe nëpërmjet rregullimit ligjor, tashmë ata nuk do të konsiderohen rezidentë tatimor dhe do të kenë të drejtën që deri në një vit të punojnë nga Shqipëria për të gjithë botën,” tregon Bilali.
Me ndryshimet e miratuara në ligj për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve, nomadët dixhitalë nuk do të trajtohen si rezidentë tatimorë.
“Synojmë që edhe të rrisim eficencën e shpërndarjes së këtyre fondeve, por edhe të shkurtojmë kohën e disbursimit të granteve. Mendojmë që të dyja këto ndryshime do të përbëjnë një inovacion për sa i përket këtij target grupi që është me potencial të madh në Republikën e Shqipërisë”.