Epic Games ka paditur prodhuesin e syzeve smart Nreal me pretendimet se “duket qartë që nuk është koinçidencë që emri Nreal duket identik me markën Unreal”. Nëpërmjet këtyre pretendimeve Epic dëshiron të rimbursojë “dëmet e shkaktuara” nga ky emërtim dhe ndalimin e përdorimit të saj nga kjo kompani.
Përveç ngjashmërisë në emër, Nreal do të rivalizojë Unreal në të njejtën fushë, atë AR. Nreal është një kompani e bazuar në Kinë e cila prodhon pajisje AR të njohura si Nreal Light që projektojnë objekte 3D në hapësirë reale. Ato madje kanë zhvilluar dhe një lojë që quhet Nreal Tower.
Nga ana tjetër Unreal Engine i Epic Games shërben si një pajisje për përgatitjen e lojërave, filmave dhe dizajn të përgjithshëm 3D. Sipas tyre kjo ngjashmëri do të përdoret për të krijuar konfuzion tek përdoruesit, pasi Nreal suporton Unreal Engine.
Prej disa vitesh kjo betejë ka qenë e qetë. Fillimisht Epic Games kërkoi bllokimin e markës Nreal në 2018 dhe kompanitë diskutuan rreth një zgjidhjeje të mundshme pas saj. Mirëpo sipas Epic ky diskutim nuk kishte asnjë rezultat. Padia e re erdhi fiks një ditë pas tweet-it të Nreal, ku ai premtonte një lajm të madh për ndjekësit në datën 20 maj.