Në Reddit u publikuan fillimisht pamjet kur Elon Musk vizitoi Giga Texas në stil, duke ngarë makinën më të re elektrike nga Tesla, Cybertruck. Ky pick-up truck tërhoqi vëmendjen e shumicës së punonjësve të kësaj fabrike, e cila dukej sikur ishte në habitatin e saj natyral, në rrugë jo të shtruara dhe me gomat e mbushura me baltë.
Nuk ishte vetëm pamja e jashtme që tërhoqi vëmendjen e tyre, por edhe interiori, që përmbante një ekran 17 inç dhe timonin e famshëm Yoke që gjendet në modelin e rifreskuar S dhe X. Me sa duket makina që Elon Musk ka përdorur është i njejti prototip që u prezantua në 2019, pasi ajo kishte akoma doreza në dyer, gjëra që nuk do të jenë prezente në versionin final të produktit, siç është lajmëruar më parë.
Tesla Cybertruck është një ndër makinat më të shumëpritura në historinë e Teslas, ku Musk deklaroi se kërkesa për pickup-truck me forma jo të zakonshme ka tejkaluar pritshmëritë e kompanisë. Prodhimi i tyre mendohet se do të fillojë gjatë këtij viti, por Elon ka ngurruar të flasë rreth kësaj teme.
Pyetjes “A do të jetë i gatshëm për tregun në vitin pasardhës Cybertruck?” ai iu shmang duke thënë se prodhimi i limituar i Model Y do të nisë gjatë këtij viti.