Cristiano Ronaldo ka habitur tifozët për gati dy dekada me stilin e tij të lojës, golat spektakolarë dhe aftësitë me topin. Së fundmi, ai i befasoi sërish, këtë herë përballë një kundërshtari të veçantë, një portieri robotik, i krijuar për të qenë pothuajse i pamposhtur. Sfida u organizua nga YouTuberi dhe inxhinieri i njohur Mark Rober, i cili ka punuar më parë në NASA dhe Apple, Ai udhëtoi drejt Portugalisë për të testuar portierin robotik përballë kapitenit të Al Nassr, nën vështrimin e lojtarëve të Kombëtares Portugeze.
Roboti portier ishte i pajisur me kamera dhe sensorë të avancuar që analizojnë lëvizjet e sulmuesit dhe reagojnë në milisekonda, duke e bërë gjuajtjen e saktë thuajse të pamundur. Ronaldo, i cili aktualisht është 46 gola larg objektivit të tij personal prej 1,000 golash në karrierë, u përball kësaj herë me një nga sfidat më teknike që ka provuar ndonjëherë.
Pas disa tentativave, CR7 arriti të shënojë. Ai vërejti një dobësi në këndin e majtë dhe identifikoi një zonë të pambuluar nga sensorët, pak mbi qendër dhe afër shtyllës. Gjuajtja e tij e fuqishme përfundoi në rrjetë, duke shkaktuar shpërthim festimesh nga bashkëlojtarët e tij. Ndërkohë, Rober mbeti me duart në kokë, i habitur nga inteligjenca dhe teknika e Ronaldos, në një moment që shënoi “fitoren” e futbollistit ndaj robotit.
Videoja e sfidës u bë virale menjëherë dhe ka kaluar mbi 19.5 milionë shikime në YouTube, duke treguar se Ronaldo vazhdon të mahnisë edhe kur përballë nuk ka një portier njerëzor, por një robot të programuar për saktësi të përsosur.

