NASA po përgatitet për një moment historik. Nëse gjithçka shkon sipas planit, viti 2026 do të shënojë rikthimin e astronautëve në afërsi të Hënës për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh. Misioni Artemis II pritet të nisë që në fillim të vitit, mes shkurtit dhe prillit, dhe do të dërgojë 4 astronautë në një fluturim rreth Hënës që zgjat rreth 10 ditë.

Ky mision konsiderohet një hap vendimtar për programin amerikan të rikthimit në Hënë, i cili ka hasur vonesa të shumta dhe kosto të mëdha. Artemis II do të jetë hera e parë që raketa e re Space Launch System dhe anija kozmike Orion do të transportojnë njerëz, duke testuar sisteme jetike si mbështetja e jetës, manovrat e dokimit dhe funksionimin në orbitën hënore.
Përveç rëndësisë teknike, misioni ka edhe peshë të madhe gjeopolitike. Shtetet e Bashkuara synojnë të ruajnë epërsinë në garën hapësinore, në një kohë kur Kina ka deklaruar se planifikon të ulë astronautë në Hënë deri në vitin 2030. Administrata amerikane e ka vënë theksin te zgjerimi i pranisë njerëzore në hapësirë, me synimin për të ndërtuar infrastrukturë që lejon qëndrime afatgjata në Hënë dhe, në të ardhmen, misione drejt Marsit.

Nga ana shkencore, rikthimi në Hënë ngjall entuziazëm të madh. Studiuesit shpresojnë të zbardhin mistere të vjetra mbi formimin e Hënës dhe origjinën e ujit, informacione që mund të hedhin dritë edhe mbi historinë e hershme të Tokës. Ndryshe nga planeti ynë, Hëna ka ruajtur pothuajse të paprekur gjurmët e së kaluarës së largët.
Edhe pse Artemis II nuk do të zbresë në sipërfaqe, ai hap rrugën për Artemis III në vitin 2027, misioni që synon uljen e astronautëve pranë polit jugor të Hënës, një zonë kyçe për të ardhmen e eksplorimit hapësinor.

