Anija kozmike e NASA, Juno, ka regjistruar disa zhurma të çuditshme që vinin nga Ganymede, hëna më e madhe e Jupiterit. Audio 50 sekondëshe është gjeneruar nga të dhënat e grumbulluara gjatë fluturimit të Juno pranë Ganymede në datën 7 qershor të këtij viti, siç bëhet me dije nga Jet Propulsion Lab.
Ganymede jo vetëm që është hëna më e madhe e Jupiterit, por është dhe hëna më e madhe në sistemin tonë diellor (madje dhe më e madhe se Mërkuri) dhe e vetmja me një fushë magnetike të sajën.
Juno ishte anija kozmike e vetme që ka fluturuar kaq pranë hënës së Jupiterit që nga viti 2000 ku anija kozmike Galileo ndoqi një trajektore të ngjashme. “Këto zhurma janë të mjaftueshme për t’ju bërë të ndiheni sikur po udhëtonit në anijen Juno fare pranë Ganymede.” tha Scott Bolton. “Nëse ju dëgjoni me kujdes mund të vini re ndryshimin e menjëhershëm të frekuencave, të cilat përfaqësojnë futjen në një regjion tjetër të magnetosferës së Ganymede.”
Juno është lançuar nga Cape Canaveral në gusht të 2011 në një mision për të studiuar Jupiterin nga orbita dhe arriti në destinacion në datën 4 korrik të 2016. Pika më e afërt e arritur me hënë më të madhe të Jupiterit u arrit në 7 qershor të 2021, ku anija kozmike ishte 1,038 kilometra larg sipërfaqjes së hënës.