Startup-i Redwood Materials që merret me riciklimin e materialeve të baterive do të zgjerojë partneritetin me Volkswagen për të grumbulluar akoma dhe më tepër bateri nga pajisjet elektronike të hedhura, duke marrë nga ato materialet me vlerë që mund të ripërdoren në krijimin e baterive për makinat elektrike.
Redwood tregon se teknologjia që ato përdorin mund të rekuperojë mbi 95% të mineraleve që gjenden në bateri (si nikeli, kobalti, litiumi apo bakri) dhe t’i përdorë këto materiale si lëndë bazë për krijimin e baterive për makinat elektrike. Bashkë-themeluesi dhe CEO JB Straubel, i cili është bashkë-themlues dhe ish-CTO në Tesla, ka mbështetur prej vitesh idenë se krijimi i një sistemi të mbyllur do të reduktojë kostot e baterive dhe nevojën për të gërmuar për materialet në miniera.
Volkswagen of America dhe Audi lidhën një kontratë me Redwood vitin e kaluar për rikuperimin dhe riciklimin e baterive të makinave elektrike që kishin arritur “fundin e jetës”.
Tashmë Volkswagen ka pranuar që të vendosë kosha në pikat e shitjes për grumbullimin e pajisjeve elektronike të vogla si laptopët, tabletët, smartphone-t, furçat elektrike të dhëmbëve apo kufjet wireless. Të gjitha pajisjet e grumbulluara do të dërgohen më pas në ambientet e Redwood për t’u ricikluar si bateri për makinat elektrike.