Një drejtues i makinës Tesla ka treguar përmes kanalit të tij në YouTube se Tesla e tij e urdhëroi atë të ndalonte para se të fikej plotësisht duke e kyçur atë brenda.
Tom Exton, një youtuber nga Britania i cili koleksionon makina, po udhëtonte në Londër gjatë natës kur makina e tij e re Tesla Model Y i kërkoi të ndalonte pasi “po fikej”. Tom ndaloi, mirëpo brenda disa minutash e gjithë energjia e makinës përfundoi, tregoi ai për Insider, duke shtuar se mbeti i kyçur brenda në makinë, pasi dyert në një Tesla kanë nevojë për energji elektrike që të hapen dhe mbyllen.
“Unë nuk po arrija dot të hapja dyert, prandaj mu desh ta hapja manualisht derën,” tha Exton. Problemi kryesor qëndron në faktin se ai po e drejtonte makinën prej vetëm pak minutash dhe se bateria e kësaj makine ishte pothuajse e plotë.
Tesla tregon në guidën e saj se në raste emergjente dyert e para mund të hapen pa energji përmes tërheqjes së dorezës mekanike që ndodhet pranë çelësit të dritareve. Exton ndoqi të njejtin udhëzim, por për fat të keq dritarja e krahut të pasagjerit u thye.