Gjatë prezantimit në CES 2022, Sony prezantoi makinën elektrike Vision-S që ne pamë gjatë vitit të kaluar, bashkë me një koncept të ri të quajtur Vision-S 02.
Mirëpo surpriza kryesore kësaj here ishte lançimi i Sony Mobility, një kompani e re e cila do të fokusohet në makinat elektrike. Ndërkohë që industria e teknologjisë ka qenë shumë e zënë duke diskutuar nëse Apple do t’i bashkohet tregut të makinave, Sony prezantoi një prototip në gjendje pune të mbushur plot me teknologji të reja.
Kompania publikoi në YouTube dusa video demo ku shihen dy prototipet Vision-S. Disa pamje fokusohen në aftësitë që kjo makinë ka në kalimin në terrene të ndryshme, e disa të tjera reklamojnë dizajnin, ndërfaqjen e përdoruesit ose drejtimin në distancë përmes një lidhjeje 5G.
Ne ende nuk e dimë nëse këto modele do të arrijnë të prodhohen në masë, por sigurisht mund të kuptojmë se Sony e ka përqëndruar vizionin e saj në krijimin e një makine autonome elektrike.
“Ne po eksplorojmë mundësinë e lançimit komercial të makinave elektrike të Sony.” tha Kenichiro Yoshida, CEO i kompanisë. Gjatë prezantimit të vitit të kaluar të Vision-S, Sony foli shumë për aftësitë e sensorëve dhe se sa mirë makina përfiton prej tyre.