Gropat në rrugë mund të jenë shumë të bezdisshme, sidomos nëse nuk arrini t’i shikoni në kohë dhe t’i evitoni, pasi mund të dëmtojnë makinën tuaj. Mirëpo BMW ka menduar të zhvillojë një sistem amortizimi i cili do të shndërrojë në energji ecjen mbi gropa.
Sipas CarBuzz, kjo gjë bëhet e ditur nga patentimi i ri nga ana e BMW. Sistemi i ri i amortizimit do të ketë aftësinë të tërheqë energji nga lëvizja e gomave të makinave elektrike duke absorbuar goditjen nga një gropë.
Me industrinë që po kthehet tërësisht drejt makinave elektrike, prodhuesit e tyre po përpiqen të zbulojnë mënyra të reja se si të rrisin autonominë e makinave. Dhe pse teknologjia e baterive po avancon dita-ditës, BMW dëshiron të jetë një hap para prodhuesve të tjerë.
Në bazë të dokumenteve të publikuara, mund të shikohet një dizajn inovativ që dërgon energjinë e gjeneruar nga ecja në një rrugë me gropa drejt një gjeneratori që e konverton atë në energji të përdorshme elektrike.
BMW do të prezantojë versionin e parë elektrik të serisë 7 të quajtur i7 gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, megjithatë nuk dihet nëse kjo teknologji do të jetë e përfshirë në makinën “flagship” të kompanisë.