Klienti është mbreti. Duke kuptuar panikun e shkaktuar javën e shkuar, si dhe pasojat reale që mund të sjellin për të, WhatsApp e ka shtyrë afatin kur politika e re e privatësisë hyn në fuqi, me tre muaj.
Nën-kompania e Facebook, e ka parë veten përballë një efekti domino, teksa kanë qenë në miliona ata që kanë vendosur të mbyllin llogaritë e tyre në të, e të emigrojnë në platforma të tjera si Signal apo Telegram. Përfaqësues të ndryshëm kanë vërshuar në rrjete sociale e kudo tjetër duke u përpjekur të garantojnë përdoruesit se WhatsApp nuk i sheh bisedat tona dhe as që do i ndajë ato me Facebook.
We want to address some rumors and be 100% clear we continue to protect your private messages with end-to-end encryption. pic.twitter.com/6qDnzQ98MP
— WhatsApp (@WhatsApp) January 12, 2021
Përveç postimit në faqen zyrtare, edhe ekzekutivë të ndryshëm nga Facebook, Instagram etj, janë përpjekur të qetësojnë gjakrat, por pa shumë sukses. Tek e fundit një kompani si FB ka pasur mjaft telashe me sigurinë dhe privatësinë.
Dokumenti i rregullave të reja të privatësisë, është akuzuar ndër të tjera edhe për përdorim termash të pakuptueshme nga përdoruesi mesatar, kjo dhe gjithçka tjetër pritet të sqarohet brenda këtyre muajve. WhatsApp ka thënë se rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në 15 maj, duke e përdorur këtë kohë për të sqaruar më mirë përdoruesit e vetë për mënyrën si aplikacioni i menaxhon të dhënat tona. Sa respektohet privatësia e përdoruesit dhe si cilat aspekte të përdorimit tonë do të ndahen me Facebook.