Për të përmirësuar akoma dhe më tepër eksperiencën në aplikacion të përdoruesve, WhatsApp ka menduar të ofrojë shërbime të reja për të gjetur sa më shpejt një bisedë të rëndësishme që keni bërë me miqtë tuaj.
Siç raportohet nga WABetaInfo, aplikacioni nën pronësinë e Meta është duke punuar për të krijuar një shërbim që ju ndihmon të filtroni chat-et tuaja. Ky ndryshim është gjetur në versionin më të ri beta 2.23.14.17 të WhatsApp në Google Play Store. Megjithatë pritet që ky shërbim të vijë së shpejti dhe për përdoruesit beta në iOS, pasi shërbimi është ende në zhvillim e sipër.
Duke u bazuar në screenshots dhe informacionet e publikuara, ne shikojmë se si në WhatsApp gjendet disa butona të rinj për filtrimin e chat-eve në 3 kategori: mesazhet e palexuara, mesazhet personale si dhe bisedat me bizneset.
Megjithatë për momentin nuk duket të ketë asnjë kategori filtrimi për mesazhet që vijnë nga grupet, në mënyrë që të gjitha ato të grumbulloheshin në një hapësirë të vetme. Duhet të presim dhe të shikojmë deri në momentin final që WhatsApp e prezanton këtë shërbim, pasi deri në prezantimin e tij mund të jenë bërë dhe shumë ndryshime të tjera.