Versioni më i ri beta i WhatsApp ka një shërbim të ri të bisedës zanore që lejon grupet deri në 32 persona të lidhen me njëri-tjetrin për të komunikuar duke folur, sipas raportimeve më të fundit të publikuara nga WABetaInfo.
Versioni beta 2.23.16.19 i WhatsApp po shpërndahet për testuesit në Android, në mënyrë që të testohet sa më tepër para se shërbimi të vijë drejt të gjithë përdoruesve. Ky shërbim nuk është një shpikje e re e WhatsApp, pasi e kemi parë dhe në platformat e tjera si Telegram, Discord, Huddles dhe Messenger prej kohësh.
Nëse në versionin tuaj të aplikacionit ky shërbim është i pranishëm, do të vini re një ikonë në formë vale brenda bisedave në grup – por vetëm nëse llogaria WhatsApp e ka funksionin të aktivizuar dhe përfshin përputhshmërinë me grupin. Prekja e butonit hap menjëherë bisedën me zë, së bashku me ndërfaqen e tij. Pastaj, kushdo në grup, deri në 32 persona, thjesht mund të bashkohet dhe të fillojë të flasë. Ndryshe nga funksioni ekzistues i thirrjeve në grup, bisedat zanore në grup nuk do t’i njoftojnë anëtarët me një zile telefoni.
Kur të gjithë largohen, seanca mbetet aktive, por do të përfundojë automatikisht pas një ore. Bisedat zanore në WhatsApp janë, si mesazhet e tjera të tij, të mbrojtura nga end-to-end encryption. Funksioni i ri i bisedës me zë të WhatsApp mund të shfaqet edhe në versionet jo beta, pasi WABetaInfo vëren se shërbimi është përhapur më gjerë.