Numri i përdoruesve të abonuar në Tinder pozvogëlohet gjithnjë e më tepër, dhe kompania mëmë, Match Group, po i drejtohet inteligjencës artificiale për të rikthyer suksesin e platformës. Aplikacioni i njohjeve pritet të integrojë disa shërbime të reja AI, me qëllim për të ofruar një përvojë më të personalizuar dhe tërheqëse për përdoruesit. Një nga risitë kryesore është funksioni “Chemistry”, aktualisht në fazë testimi në Zelandën e Re dhe Australi, që do të bëhet një nga shtyllat kryesore të Tinder deri në vitin 2026.
“Chemistry” përdor gjenerimin e të dhënave nga foto të ruajtura në Camera Roll, të cilat i analizon për të nxjerrë informacione mbi personalitetin, interesat dhe preferencat e përdoruesit. Krahas kësaj, përdoruesit plotësojnë pyetje interaktive që ndihmojnë algoritmin të krijojë një profil më të detajuar, duke synuar përputhje më “kuptimplota” ndërmjet njerëzve. Megjithatë, përdoruesit duhet të japin leje për aksesimin e fotove, gjë që, sipas kompanisë, ruan një nivel të arsyeshëm privatësie.

Përveç “Chemistry”, Tinder po zgjeron përdorimin e gjuhës natyrore gjenerative për të përmirësuar komunikimin brenda aplikacionit. Një model i ri paralajmëron përdoruesit përpara se të dërgojnë mesazhe potencialisht ofenduese. Gjithashtu, platforma planifikon përditësime më tradicionale si “modalitete” të reja takimesh, një ndërfaqe profili të ridizenjuar, njohje fytyre dhe shërbime të tjera për të rritur ndërveprimin.
Të dhënat për tremujorin e fundit tregojnë një rënie prej 3% në të ardhura vjetore dhe një ulje prej 7% të përdoruesve të abonuar, ndërsa Match Group regjistroi një rritje modeste prej 2% në të ardhurat totale (914.2 milionë dollarë). Kompania do të investojë 14 milionë dollarë në testimin e shërbimeve të reja AI. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo qasje mund të mos mjaftojë për të ndalur rënien, pasi sjelljet sociale dhe preferencat e përdoruesve po ndryshojnë shpejt, ndërsa presioni ekonomik kufizon shpenzimet për aplikacione me abonim.

