Lajmi se platforma sociale TikTok do të ndalojë së funksionuari në Shqipëri ka bërë bujë në të gjitha mediat kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas prezantimit të Planit të ri të Veprimit në shkolla, i cili synon të rrisë sigurinë në institucionet arsimore, kryeministri tregoi se ndalimi do të bëhet për 1 vit duke nisur nga fillimi i vitit 2025.
Për të kuptuar më tepër rreth kësaj situate, Geek Room dërgoi një kërkesë për informacione të detajuara drejt TikTok dhe platforma u përgjigj me një komunikim zyrtar:
“Ne po kërkojmë qartësim urgjent nga qeveria shqiptare. Në lidhje me incidentin tragjik të përmendur, ne nuk gjetëm asnjë provë që autori ose viktima të kishin llogari në TikTok dhe raportimet e shumta kanë konfirmuar në fakt se videot që çuan në këtë incident po postoheshin në një tjetër platformë, jo TikTok.“
Nëpërmjet kësaj deklarate kompania pretendon se videot e publikuara nuk i përkisnin rrjetit social TikTok, dhe për këtë arsye kërkon një qartësim urgjent dhe nga qeveria shqiptare për marrjen e këtij vendimi.
Nga ana tjetër kryeministri e cilësoi platformën si një “rrugaç i lagjes” i cili po influencon shumë rininë në vend. Një nga problemet e përmendura në deklaratë është dhe ai i përmbajtjeve që rekomandohen nga algoritmi i TikTok në versionin ndërkombëtar.
“Në Kinë, TikTok promovon si të bëjnë nxënësit mirë mësimet, si të ruhet natyra, se si është tradita etj, etj. Rrugaçërira, perversitet, dhunë, bullizëm, thika, shpata, revole, euro, dollarë nuk sheh në TikTok-un e Kinës. Ndërsa në TikTok-un jashtë Kinës vetëm llum dhe qenëri.” shtoikryeministri.